Kosovë, vihet gurthemeli i spitalit të financuar nga EBA

21/03/2016 00:00

Në Prishtinë është vënë gurthemeli për ndërtimin e Spitalit Pediatrik-Kirurgjik, një projekt me vlerë prej 22 milionë eurosh, i financuar nga Emiratet  e Bashkuara Arabe.

Ky është investimi më i madh pas luftës në sektorin e shëndetësisë, në bazë të marrëveshjes së arritur nga Presidentja Atifete Jahjaga, vitin e kaluar në Abu Dhabi.

Në një ceremoni në Prishtinë, ku mori pjesë edhe ministrja e Shtetit e Emirateve të Bashkuara, Maitha Salem Al- Shamsi, Presidentja Jahjaga tha se ky do të jetë spitali më i përparuar në rajon.

“Realizimi i këtij projekti, i cili pritet të përfundojë deri në vitin 2018, do të menaxhohet nga Autoriteti Shëndetësor i Abu Dhabit, nën mbikëqyrjen e kompanisë gjermane ICME”, tha Atifete Jahjaga, Presidente në detyrë e Kosovës.

Ky spital shtetëror, pjesë e Qendrës Klinike Universitare, do të ketë 90 shtretër dhe shërbime shëndetësore për Ortopedi, Kardiologji, Onkologji, e të tjera.

Ky nuk është investimi i vetëm në shëndetësinë kosovare nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Në vitin 2003 është ndërtuar edhe Spitali i Përgjithshëm në Vushtrri. Por, për shkak të mosmirëmbajtjes, ky spital tashmë po rinovohet me një shumë prej 7 milionë eurosh, po nga Emiratet e Bashkuara, ndërsa siç tregon për Top Channel drejtori i shërbimeve mjekësore, ka edhe mungesë stafi.

“Posaçërisht kemi mungesë në shërbimin e Radiologjisë për shkak të pajisjeve të reja që na vijnë, na vjen një CT 64 shtresore”, tha Ahmet Ademi, drejtor i Spitalit të Vushtrisë. Spitalit i është shtuar edhe emergjenca, por – sipas drejtorit Ademi, – stafi për këtë sektor është zero.

Top Channel