Kombëtarja, lista e lojtarëve të grumbulluar për miqësoret ndaj Austrisë dhe Luksemburgut

21/03/2016 11:05

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi, ka publikuar listën e 26 lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet miqësore të radhës, që kuqezinjtë do të luajnë ndaj Austrisë në 26 mars dhe Luksemburgut në 29 mars.

Lojtarët e grumbulluar janë:

Portierë: Etrit Berisha, Orges Shehi dhe Alban Hoxha.

Mbrojtës: Arlind Ajeti, Naser Aliji, Berat Gjimshiti, Mërgim Mavraj, Lorik Cana, Elseid Hysaj, Ansi Agolli dhe Frederik Veseli.

Mesfushorë: Herolind Shala, Migjen Basha, Ledian Memushaj, Ergys Kaçe, Andi Lila, Odise Roshi, Burim Kukeli, Ermir Lenjani, Taulant Xhaka dhe Armir Abrashi.

Sulmues: Shkëlzen Gashi, Armando Sadiku, Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi dhe Milot Rashica (i grumbulluar vetëm për ndeshjen ndaj Luksemburgut).

Pasi publikoi listën e lojtarëve të grumbulluar për miqësoret me Austrinë dhe Luksemburgun, ku bie në sy thirrja për herë të parë e Milot Rashicës, Gianni De Biasi ka pohuar se në “Euro 2016” do të jenë ata futbollistë që bënë historinë kuqezi.

“Unë bëj zgjedhjet që më duken të drejta. Kemi shumë pak kohë dhe nuk mund të bëjmë eksperimente. Baza e skuadrës në Francë do të jetë ajo që na solli deri këtu”, tha trajneri italian.

De Biasi ka preferuar të përdorë batutën për deklaratat e disa drejtuesve në Kategorinë Superiore, të cilët mendojnë se ai nuk i jep vëmendjen e duhur ndeshjeve të kampionatit tonë.

“E kam parë nga televizori ndeshjen Partizani-Skënderbeu, ashtu siç kam parë dhe Juventus-Bayern. Nuk kam nevojë që të jem këtu. S’është e thënë që për të mësuar latinishten, dikush duhet të ketë lindur patjetër në Romën e lashtë”, u shpreh De Biasi. 

Të njëjtin stil ka përdorur edhe për thashethemet e fundit për të ardhmen e tij në krye të kombëtares italiane: “Ajo që më intereson tani është 11 qershori, sfida ndaj Zvicrës. Jam mësuar gjithmonë që t’i marr gjërat hap pas hapi. Karroca nuk mund të ecë përpara buajve, t’i lëmë buajt që të tërheqin karrocën”.

Tekniku italian ka theksuar se për shkak të impenjimeve të kombëtares U21 ka preferuar të mos grumbullojë për këto 2 miqësore Latifin, Rahmanin dhe Manajn, 3 lojtarë kyç për formacionin e Redi Jupit.

Top Channel