La Liga, Reali “poker” ndaj Sevillas

20/03/2016 00:00

BBC rikthehet për t’i dhënë fitoren Realit të Madridit. Cristiano Ronaldo, Gareth Bale dhe Karim Benzema shënuan në fitoren 4-0 ndaj Sevillas.

“Trëdhëmbëshi” madrilen ishte lënë në hije nga MSN-ja e Barçës, por u rikthyen në ditën kur këta të fundit dështuan të fitojnë përballë Villarealit.

Luhej minuta e 6 kur Karim Benzema shfrytëzon një top të mirë të Bale për të çuar të tijtë në epërsi 1-0. Miqtë kishin mundësi të barazonin në të 27-n, por Gameiro dështoi të shënonte nga pika e bardhë.

Në minutën e 58, Ronaldo lëshoi mundësinë për të dyfishuar epërsinë e madrilenëve kur gaboi nga pika e bardhë, por portugezi korigjoi gabimin gjashtë minuta më vonë kur shënoi për 2-0.

Pas Benzemasë dhe Ronaldos, ishe radha e Bale për të shënuar, i cili përfiton nga një reagim jo shumë i mirë i portierit për të shënuar në golin bosh në të 66-n.

Golin e katërt për Realin e shënoi Jese katër minuta nga fundi i ndeshjes. Madrilenët tashmë janë 10 pikë larg Barçës së vendit të parë dhe kanë një pikë më pak se Ateltico e dyta.

Top Channel