Kosovë, ofertë për zgjedhje të parakohshme

20/03/2016 00:00

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli gjatë javës së ardhshme pritet të takojë kryeministrin Isa Mustafa për të përgatitur ofertën e koalicionit qeverisës për opozitën për dalje nga kriza.

Top Channel ka mësuar nga burime brenda kabinetit të kryeparlamentarit Veseli se oferta e mund të rezultojë edhe në mundësinë e vajtjes në zgjedhje të parakohshme përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, por jo në periudhë të afërt kohore.

Megjithatë, opozita paralajmëron se nuk do të pranojë asnjë ofertë që nuk nënkupton dorëheqjen e qeverisë.

 “Ne pranojmë vetëm dorëheqjen e qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme. Nëse kjo nuk bëhet me vullnetin e tyre, atëherë qytetarët e Kosovës do ta detyrojnë këtë qeveri dhe kryeministrin Isa Mustafa që të japë dorëheqje”, deklaroi Frashër Krasniqi nga Vetëvendosje.

Nga ana tjetër, Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, bën thirrje për tryezë me diskutime dhe për marrëveshje politike.

“Të dy palët kanë pretendime të mëdha dhe duhet të lëshojnë pe nga këto kërkesa në mënyrë që t’i hapin rrugë daljes nga kriza. Kështu që duhet t’i vendosin në radhë të parë interesat e përgjithshme shtetërore”, tha Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Kosova ndodhet në krizë politike që nga muaji gusht i vitit të kaluar, kur qeveria nënshkroi marrëveshjet për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe atë për Asociacionin e Komunave serbe, ndaj të cilave opozita reagoi duke bllokuar punën e Kuvendit me gaz lotsjellës.

Top Channel