Juventusi fiton derbin, Buffon thyen rekordin

20/03/2016 00:00

Bardhezinjtë e Allegrit triumfuan me shifrat 1-4 përballë kushërinjëve të urryer të Torinos në “Olimpico” duke hedhur një tjetër hap të sigurtë drejt fitimit të titullit të 5 kampion radhazi.

Gianluiggi Buffon shkroi emrin e tij në librin e rekordeve të futbollit italian. Kapitenit të Juventusit i nevojiteshin 4 minuta për të thyer rekordin e Sebastiano Rossit, por ai rezistoi shumë më tepër se kaq, duke u ndëshkuar vetëm nga një penallti e Belottit në të 48-n.

38-vjeçari e coci në 973 minuta pathyeshmërinë e tij dhe me një pjesë loje më shumë se Rossi, është ai tashmë portieri që ka qëndruar më gjatë pa pësuar gol në Serinë A.

Derbi Torino-Juventus, siç ndodh shpesh në të tilla sfida, edhe këtë herë nisi shumë i luftuar. Bardhezinjtë gjithsesi arritën të zhbllokonin shifrat në të 33-n me një goditje standarte fituese të francezit Paul Pogba.

Kaq i mjaftoi Juventusit për të marrë frenat e lojës në dorë dhe në 42-tën Khedira gjeti edhe golin e avantazhit të dyfishtë. Pjesa e dytë nisi me Torinon më kërkuese. Pas vetëm 2 minutash skuadra e Venturës fitoi një 11-metërsh pas një fualli të Alex Sandros ndaj Bruno Peres. Nga pika e bardhë Belotti nuk gaboi duke mposhtur më në fund Buffon-in. Gjithsesi për të hipotekuar fitoren e skuadrës bardhezi mendoi Alvaro Morata. Sulmuesi spanjoll i cili në minutën e 32-të të kësaj sfide zëvendësoi Dybalan të dëmtuar, realizoi dy herë në pjesën e dytë duke i cuar shifrat në 1-4.

Ndërkohë, Arlind Ajeti bën një tjetër paraqitje e shkëlqyer me Frosinonen që ndali në një barazim pa gola Fiorentinën e Paulo Sozës. Rastet më të mira për shënim gjithsesi i kishte skuadra “vjollcë” por lojtarët e Fiorentinës shpërdoruan shumë përpara portës së Lealit.  Një barazim që i vlen më shumë Frosinones që tashmë ka shanse të mira për të siguruar mbijetesën. Në minutën e 25-të Ajeti ndërkohë u ndëshkua edhe me karton të verdhë për një ndërhyrje të gabuar ndaj Bernardeschit.

Në ndeshjet e tjera, Atalanta u rikthye te fitorja pas 3 muajsh e gjysmë pasi në shtëpi mposhti 2-0 Bolognën. Chiveo mposhti në tranfertë Sampdorian 0-1, njëjtë siç beri edhe Carpi me Veronën, por këtu ndeshja u mbyll në shifrat 1-2. Sassuolo nuk arriti më shumë se një barazim 1-1 në shtëpi përballë Udineses.

Top Channel