Megjithëse marrëveshja BE-Turqi ka filluar të zbatohet zyrtarisht prej mëngjesit të kësaj të diele, në ishujt grekë kanë mbërritur prej mesnatës mbi 800 refugjatë, ndërsa dy foshnje 1 dhe 2 vjeç janë mbytur afër ishullit Ro, kur kanë rënë në det nga një gomone, që sillte rreth 40 refugjatë nga brigjet turke.

Sipas marrëveshjes, që pretendon të frenojë fluksin e refugjatëve dhe emigrantëve drejt Europës, të gjithë ata që hyjnë prej 20 marsit në Greqi, me këtë mënyrë, konsiderohen ilegalë, do të kthehen në Turqi dhe nuk do të kenë më mundësi të rihyjnë në Europë në mënyrë të ligjshme.

Ndërkohë, për çdo sirian ilegal që do të kthejnë organet greke në Turqi, BE-ja do t’i japë azil politik një siriani që ndodhet në Turqi dhe që ka kryer atje procedurat e azilit, politikë që do të zbatohet deri sa ky numër të shkojë në 72 mijë persona.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, organet greke kanë filluar të evakuojnë të gjithë refugjatët, në ishujt ku ndodhen 5 pikat e pritjes dhe regjistrimit, të cilat tani e tutje do të shqyrtojnë dokumentet e të gjithë atyre që do të kthehen pas. Po bëhen përpjekje për të rikthyer normalitetin edhe në Portin e Pireut.

E ndërsa numri i përgjitshëm i refugjatëve në kampet e ndryshme greke po shkon në 50 mijë, mediat vendase shtrojnë pyetjen se çfarë do të bëhet me ta. Ne Idomeni, disa refugjatë sirianë, duke vazhduar protestat e tyre janë shtrirë përsëri në shinat e linjës hekurudhore, me pankarta “Hapni kufijtë”.

“Të gjithë duam të largohemi, madje edhe me trafikantët apo me rrugë të tjera, duke kaluar nëpër Shqipëri. Të gjithë duan të ikin, askush nuk dëshiron të kthehet pas. Njerëzit kanë shitur shtëpitë e tyre, apo makinat për të përfunduar këtë udhëtim. Askush nuk do të shkojë pas dhe askush nuk kërkon të qëndrojë këtu”, tha Hisham Ali, sirian në Idomeni.

Analistë vendas dhe të huaj kanë hedhur hijet e dyshimit për zbatimin e marrëveshjes, pasi edhe shumë vende europiane ende nuk e kanë mbështetur, sidomos në shpërndajrjen dhe strehimin e atyre sirianëve që do të kërkojnë azil politik dhe do të vijnë në Europë nga Turqia. Por ka edhe reagime nga organizatat humanitare, të cilat shohin se mund të ketë shkelje ligjore, për sa i përket disa dispozitave të paktit të Gjenevës në lidhje me pranimin e refugjatëve.

Top Channel