F1, skuadrat revoltohen kundër rregullores së re

17/03/2016 13:20

Botërori i Formula 1 nisi zyrtarisht në Australi me provat kualifikuese. Ndryshe nga vitet e kaluara formati i këtyre provave kishte një tjetër sistem, atë të eliminimit çdo 90 sekonda në të tre sesionet e tyre. Por ky sistem i ri nuk është pëlqyer nga pilotët dhe drejtuesit e skuadrave.

“I kërkojmë ndjesë publikut. Është e qartë që kjo formulë nuk funksionon. Të kthehemi menjëherë në sistemin e mëparshëm”, ishin fjalët e shefit të Red Bull Kristian Horner që gjeti mbështejen e kolegëve të tij te Ferrari dhe Mercedes, Maurizio Arrivabene dhe Toto Volf.

“Tani ndoshta dikush do ta kuptojë arsyen që e kundërshtuam me forcë këtë format. E them këtë fillimisht si tifoz e më pas si drejtues skuadre. Minutat e fundit ishin vërtet një turp”, deklaroi Arrivabene.

Akoma më i ashpër ishte në deklartatat e tij Toto Volf, që nuk e kurseu fjalorin e rëndë.

“E gjithë kjo ishte një m….E di që në televizion nuk mund të përdoret ky fjalor, por ka raste që duhet. Kur kërkon t’i përmirësosh gjërat, ajo që bën në të vërtetë është se i përkeqëson. Të nisin bisedimet për t’u kthyer prapa”, tha ai.

Top Channel