F1, Mercedes dominon sërish, ndjek Ferrari

19/03/2016 00:00

Kampionat i ri, rregullore e re, rezultat i njëjtë. Mercedes rinis aty ku e la vitin e kaluar, duke dominuar provat zyrtare në Formula 1.

Lewis Hamilton, kampioni i Botës në fuqi, mori “pole positon” e parë për vitin 2016-të duke ndalur kronometrin në kohën 1 minutë 23 sekonda e 800 të mijtat. Ritmin e britanikut e mbajti vetëm shoku i skuadrës Niko Rosberg, i cili regjistroi kohën e dytë më të shpejtë duke plotësuar linjën  parë të nisjes tërësisht Mercedes.

Pas tyre u renditën dy makinat e kuqe të Ferrarit. Sebastian Vettel do të fillojë garën e Australisë në vendin e tretë, përpara shokut të tij të skuadrës Kimi Raikkonen.

Nuk kanë treguar ndonjë përmirësim dy pilotët e skuadrës McLaren, Fernando Alonso dhe Jenson Baton, të cilët u renditën respektivisht në vend të  12 dhe të 13-të.

Çmimi i Madh i Australisë do të zhvillohet mëngjesin e së dielës dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë në Top Channel duke filluar nga ora 05:50.

***

Botërori i Formulës 1 të këtij viti mund të quhet fare mirë kampionati i risive, kjo për shkak të disa ndryshimeve që janë bërë, ku kryesori është ai i formatit të provave zyrtare. Këtë vit, kualifikueset në Formulën 1 nisën me sistemin e eliminimit. Në të 3 minisesionet, pilotët më të ngadaltë do të skualifikohen çdo 90 sekonda.

Tjetër risi e këtij sezoni në Formula 1 është përdorimi i gomës super të butë, që do të ketë shirit me ngjyrë vjollcë. Këtë vit, në total çdo pilot do të ketë në dispozicion 13 sete gomash, por kombinimet do të jenë të ndryshme.

Ndryshimi tjetër në këtë sezon të Formulës 1 është kufizimi në komunikimet me radio. Dhe e gjithë kjo bëhet për të bërë akoma më shumë protagonist pilotin dhe garën më të paparashikueshme.

Kalendari i këtij viti do të jetë më i gjati, pasi do të zhvillohen 21 gara, ku të bie në sy rikthimi i Çmimit të Madh të Gjermanisë në Hokenhajm dhe debutimi i garës së Azerbajxhanit në Baku. Duke pasur paraysh këtë fakt, çdo pilot do të ketë të drejtë të përdorë 5 motorë dhe jo 4, siç ishte sezonin e kaluar.  

2016 është edhe viti i debutimeve në Formulën 1. Kjo për faktin se këtë sezon do të ketë një skuadër të re, Team Haas, ndërkohë që skuadra Manor do të hedhë në pistë Rio Harianton, pilotin e parë indonezian që është pjesë e botërorit të F1.

Të 21 garat e Botërorit të Formulës 1 të këtij viti do të transmetohen drejtpërdrejt në Top Channel.

FOTO GALERI
1/7
F1, Mercedes dominon sërish, ndjek Ferrari

Top Channel