Gara për vendin e katërt, Schalke mposht M’Gladbach

18/03/2016 00:00

Schalke 04- Monchengladbach ishte sfida hapëse e javës së 27 në Bundesligën gjermane, por edhe më e rëndësishmja, pasi dy ekipet janë rivale direkte për vendin e katërt në klasifikim, i cili do t’i jepte mundësi atyre që sezonin e ardhshëm të luanin në Champions League.

Ndeshja në “Veltins-Arena” ishte spektakolare dhe me ritëm të lartë e rëste të shumta shënimi, por në fund ishin vendasit ata që triumfuan në këtë “finale” për vendin e katërt. Schalke fitoi 2-1, ku të tre golat u shënuan në pjesën e dytë.

Schalke kaloi në avantazh në minutën e 59 falë një autogoli të Martin Hingerer, devijimi i pafat i të cilit mashtroi portierin e Munchengladbach. Gjithsesi, skuadra e Andre Schubert bëri gjithçka për të kthyer rrjedhën e ndeshjes dhe në minutën e 79 arriti të rikthejë ekuilibrin me Andreas Christensen, që shënoi nga qendra e zonës. Megjithatë nuk ishte e thënë që Munchengladbach të merrte një barazim, që do ta mbante në zonën Champions, pasi pas vetëm 4 minutash vendasit realizuan golin e fitores me Leon Goretzkan, që tundi rrjetën e Sommer nga jashtë zonës.

Me tre pikët e marra në këtë takim, Schalke ngjitet në vendin e katërt me 2 pikë diferencë nga Munchengladbach që zbriti një vend më poshtë.

Top Channel