Eksperimenti “Infantino”, zëvendësimi i katërt në Olimpiadë

18/03/2016 00:00

Pas planeve revolucionare për të çuar në 40 numrin e kombëtareve të kualifikuara në Botëror, Gianni Infantino po përgatitet të testojë konservatorët e futbollit me një tjetër ndryshim.

Presidenti i FIFA-s Infantino i ka kërkuar Komitetit Ekzekutiv, që të aplikohet zëvendësimi i katërt në kohët shtesë, nëse ndeshjet do të shkojnë në një fazë të tillë në Lojërat Olimpike të këtij viti në Brazil, si dhe në Botërorin e Klubeve.

Bordi ndërkombëtar i futbollit “IFAB” ka rënë dakord që të eksperimentohet me një lojtar shtesë, i cili mund të futet në lojë, nëse sfidat kalojnë kufirin e 90 minutave.

“Ne kemi vendosur që këto eksperimente t’i zhvillojmë në turnetë olimpikë të futbollit në Rio de Janeiro, në Botërorin e Femrave deri në 20 vjeç në Papua Guinean e Re, si dhe në Botërorin e Klubeve në Japoni”, thuhet në njoftimin zyrtar.

FIFA bëri të ditur gjithashtu se, i ka kërkuar Federatës greke të anulojë vendimin për të shtyrë finalen e Kupës së Greqisë, pas vendimit ekstrem për shkak të dhunës mes tifozëve, ndërsa theksoi nevojën për reforma.

“Kam marrë një dozë të madhe energjie nga ajo çfarë kam parë dhe dëgjuar në këto 3 javë. Futbolli është në zemër të FIFA-s dhe kjo reflektohet në prioritetet tona”, tha presidenti Gianni Infantino, i zgjedhur në fund të shkurtit.

Top Channel