“Shkëndija” te Mercedesi, Hamilton-Rosberg nisin “betejën” pa nisur “lufta”

18/03/2016 00:00

Duhen pak orë nga nisja zyrtare e Botërorit të ri të Formula 1, por në kampin e Mercedesit ka gjithmonë tension mes pilotëve, pak rëndësi nëse janë prova të lira apo çmime të mëdha.

Kampioni i ri në 2016-n, me shumë gjasa mund të dalë sërish nga dueli shpërthyes mes Lewis Hamilton dhe Nico Rosberg dhe, nga ajo çfarë artikulon piloti britanik në publik do të jetë një klimë gjithçka, përveçse miqësore.

Provat e lira në pistën e Melbournit në Australi kanë sjellë në vëmendjen e mediave disa fraza, që lënë të kuptohet shumë mbi Botërorin e Formula 1.

“Kishte shumë pak arsye për të dalë në pistë dhe për të rrezikuar kaq shumë me makinë. Kushtet e pistës ishin të vështira dhe nuk ia vlente aspak, që të dilje nga trajektorja dhe të dëmtoje makinën, duke llogaritur se të shtunën do të jetë një pistë e thatë”, tha Lewis Hamilton në një referencë të qartë për shokun e skuadrës te Mercedesi.

Nico Rosberg humbi kontrollin e makinës, duke dëmtuar pjesën e përparme, madje në kthesën numër 13 parkoi njëvendëshen, duke ulur siparin e provave, diçka që nuk i ka pëlqyer Hamiltonit.

“Edhe nëse bie shi e dimë se çfarë duhet të bëjmë dhe, më e mira është të kursehemi për provat zyrtare. Në këto xhiro kuptojmë shumë gjëra mbi makinën, por po mësohemi gjithashtu me stilin e ri në komunikimet me radio” tha britaniku Hamilton.

Top Channel