Pasionin e lindur, aktori i humorit Florian Binaj e prezanton në ekspozitën e tij të parë personale “Paralel”.

Krahas humorit që sjell çdo të diele në “Portokalli’, Flori, i diplomuar në degën e pikturës grafike, kurorëzon në këtë ekspozitë punën e tij 10-vjeçare, duke sjellë një anë të panjohur për publikun e gjerë.
 
“Kam dashur të sjell në opinonin publik dhe tek të gjithë ata që më ndjekin prej 12 vjetësh në ‘Portokalli’, atë për të cilën unë kam që prej 2 vjeç e gjysmë që e kam talent e që është piktura, vizatimi. Një pjesë janë bërë gjatë provave, në lexim tavoline nga 20-45 minuta kohë, por ka edhe grafika që janë realizuar gjatë atyre të dielave të shenjta që i kemi pushim”, thotë duke qeshur Binaj.

Në mes tyre, Flori tregon se ka pasur edhe nga ato punë të cilave u ka dedikuar mbrëmje të tëra deri në orët e para të mëngjesit.

“Punët më të vështira janë disa piktura, më saktë piktura e Duomos në Milano e cila më ka bërë të thinjem. Më është dashur gati çdo muaj të punoj gjysmë ore çdo natë”, vijoi ai.

Për miqtë dhe kolegët në “Portokalli”, talenti i Florit në pikturë është i njohur.

“Sigurisht që e njoh këtë dimension të Florit sepse zakonisht në prova merret me shumë gjëra njëkohësisht”, thotë aktori Marin Orhanasi.

“Flori ka bërë një akrikaturë timen se si dukem në atë xhupin që është realisht ashtu. Ajo që më bën përshtypje është zbërthimi i saktë i ideve që ka Flori në kokë dhe të hedhura pastaj në letër”, u shpreh aktorti tjetër i “Portokalli”, Irgen Çela.

Një ekspozitë e dytë me karikatura të stafit të “Portokallisë” do të jetë hapi i radhës i Florian Binajt.

Top Channel