Shorti i Europa League, Dortmund-Liverpool në çerekfinale

18/03/2016 00:00

Dortmund ishtë skuadra që Jurgen Klopp deshi të shmangte në çerekfinale të Europa Leagues, por trajneri karizmatik do të rikthehet në Gjemani për t’u përballur me ish-skuadrën e tij.

Një short i vështirë për Liverpool, duke pasur parasysh edhe formën në të cilën po kalojnë verdhezinjtë, ose se sa me lehtësi e kaluan Tottenhamin në raundin e 1/16-ve.

Megjithatë, “të kuqtë” nga “Anfield” kanë humbur vetëm njërën prej 12 ndeshjeve të fundit ndaj kundërshtarëve gjermanë, ndërsa me Klopp në stol shpresat për gjysmëfinale rriten akoma më tepër.

Shorti i hedhur në Nion të Zvicrës vuri përballë njëra tjetrës edhe Athletic Bilbao me Sevillen.

Këto dy skuadra po rivalizojnë fort njëra tjetrën edhe në kampionat me skuadrën e Emery që renditet e pesta me një pikë më shumë se baskët që janë pozicionuar në vendin e gjashtë në klasifikim.

Në ndeshjen ndaj Fenerbahces, Braga tregoi se kërkon më tepër nga ky kompeticion, por duhet të përballet me skuadrën me përvojë tashmë në Europë, Shakhtar Donetsk, e cila në raundin paraprak eliminoi Anderlechtin e Hasit.

Ndërkohë, Villarreal do të përballet me Spartën e Pragës. Të dyja këto eliminuan në raundin paraprak skuadra favorite si Bayer Leverkusen apo Lazio.

Ndeshjet e para do të luhen më 7 prill, ndërsa ato të kthimit një javë më pas, më 14.

Çerekfinalet e Europa League
Braga-Shakhtar Donetsk
Villarreal-Sparta Prague
Athletic Bilbao-Seville
Borussia Dortmund-Liverpool

Top Channel