Pas 30 muajsh nga arrestimi i tij, Jorgos Roupakias, neonazisti që është akuzuar për vrasjen e muzikantit aktivist antifashist Pavlos Fisas në 18 shtator të vitit 2013, është liruar pasi ka mbaruar afati i paraburgimit të tij.

Sipas rregullores së Këshillit të Apelit, ai do të jetë nën mbikqyrjen e policisë 24 orë në ditë dhe do të lejohet të dalë vetëm për t’u paraqitur në gjyqin e “Agimit të Artë” që ka një vit që po zhvillohet, ndërsa gjithashtu i është ndaluar dalja jashtë Greqisë.

I akuzuari për vrasje me qëllim, në bazë të dosjes gjyqësore dhe akuzave për veprimtari në një organizatë kriminale, duket se ka qenë anëtar aktiv i “Agimit të Artë”, në një prej degëve të saj në kryeqytet, ndërsa ai vetë përshkruan përfshirjen e tij në veprimet dhe aktivitetet e kësaj force politike si “mbështetje e thjeshtë për partinë”.

“Rupakias në shtëpi, Fisas nën dhe” ka qenë një prej titujve karakteristikë të mediave grekë që komentojnë lirimin qoftë edhe të përkohshëm të tij si një mangësi të sistemit grek të drejtësisë.

“A ka mundësi për shkak të grevës së juristëve të shtyhet një gjyq i tillë që nuk është si të tjerët?”, ka deklaruar avokati i familjes së viktimës, ndërsa nëna e aktivistit të vrarë, Pavlos Fisas, e pyetur nga gazetarët nuk është përgjigjur, por ka publikuar një video në të cilën ka fragmente nga rrëfimi i vrasësit, deklaratat e tij në ambientet e zyrave të “Agimit të Artë” si dhe fotografinë e thikës së përgjakur me të cilën neonazisti kreu veprën kriminale.

Top Channel