Idomeni, kampi në kufirin greko-maqedonas që strehon mijëra emigrantë, është për këta njerëz vendi ku nuk jetohet, por ti thjesht ekziston. Shumë prej tyre kanë humbur gjithçka kishin, e tani, duhet të humbasin edhe dinjitetin me pritjen çdo ditë për orë të tëra në radhë dukë lypur praktikisht ushqim.

Mes tyre është dhe Shahir Ellnebullsi, një refugjat sirian i paralizuar që pavarësisht kushteve fizike, iu bashkua qindra vetëve që tentuan ditë më parë kalimin e kufirit me Maqedoninë.

Shahir është ndoshta shembulli që ilustron më qartë se sa shumë e duan këta njerëz mbërritjen në Europë. “E ndihmuan të kapërcente lumin e pastaj fushën që të çon në Maqedoni”, thotë korespondenti i BBC-së në kufi, Ian Pannell, por në fund u kap e u kthye mbrapsht si të gjithë të tjerët.

“Ajo që ne duam është pak humanizëm. Shikoni si na trajtojnë këtu. Nuk ka më humanizëm, as në vendet arabe, as në perëndim. Na përdorin si mall shkëmbimi. Na pranojnë që të bëjnë para’ në kurrizin tonë”, tha Shahir Ellnebullsi.

Korrespondeti takon dhe tre familje nga tre qytete, njerëzit e të cilëve e dinë mirë se c’është lufta dhe persekutimi: Falluxha, Ramadi dhe Alepo. Njëri thotë se u largua pasi kriminelët e ISIS i çanë barkun. Një tjetër u rrah këtë javë nga policia maqedonase. Nuk është mirëpritja që menduan se do të merrnin, e as mbrojtja e garantuar me ligj.
 
“Unë në shtëpi nuk kthehem dot sepse nuk e kam më një shtëpi. Erdhëm këtu duke kërkuar mbrojtje europiane, sepse thanë se do t’i hapin kufijtë për irakianët dhe sirianët. Atëherë, përse jemi ulur këtu tani? Përse po rrimë këtu?, pyet Shahir.
 
Marrëveshja me Turqinë mund t’i detyronte një pjesë të refugjatëve të ktheheshin mbrapsht, por ajo që harron Brukseli është se shumë nga këta njerëz i janë larguar vdekjes, ndaj dhe do të bëjnë ç’është e mundur për ta vazhduar rrugën e tyre.

Top Channel