Telashet nuk kanë të sosur për Benzema

18/03/2016 00:00

Në kohën kur duket se i dha udhë zgjidhjes së skandalit të filmimit të nxehtë të Valbuenas, përmes të cilit akuzohet se ka shantazhuar bashkëlojtarin tek kombëtarja franceze, në horizon shfaqen të tjera telashe për Benzema, edhe më të rënda se këto.

“Liberation” shkruan se një gjykatë e Parisit është duke hetuar një skemë trafiku lëndësh narkotike dhe pastrimi parashë, ku përfshihet edhe emri i Karim Benzemas. I njëjti burim thotë se hetimet janë hapur në shtator të 2015 dhe tashmë janë në një fazë të avancuar, aq sa besohet se sulmuesi i Realit është marrë në pyetje për rastin në fjalë.

Nën hetim është një kompani, ku Benzema rezulton të jetë aksioneri kryesorë, që dyshohet se është përdorur për pastrimin e parave.

Hetuesit e çështjes përjashtojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të sulmuesit, megjithatë “Liberation” flet për disa përgjime, ku trafikantë të drogës përmendin emrin e futbollistit dhe të personave të tjerë të afërt me të.

Top Channel