F1 në Australi, Hamilton dominon provat e lira

18/03/2016 00:00

Fundjava e parë e Botërorit të ri të Formula 1 nisi nën shenjën e Mercedes dhe Lewis Hamilton me pilotin britanik që dominoi provat e lira në Çmimin e Madh të Australisë.

Të dy sesionet e para të këtyre provave të lira u kushtëzuan nga reshjet e shirut, por kjo nuk e pengoi kampionin e botës që të shënonte kohët më të shpejta.

Në sesionin e parë, Hamilton arriti të fitojë me kohën 1 minutë 29 sekonda e 725 të mijtat duke lënë pas tij 2 pilotët e Red Bull, Kvyjat dhe Ricciardo. Klasifikimi në këtë sesion vijon me Nico Hulkenberg në vendin e katërt me Force India dhe Verstappen me Toro Rosso.

Rosberg u pozicinoua i gjashti, i ndjekur nga Alonso. Zhgënjyen në këtë sesion të parë pilotët e Ferrarit, Kimi Raikkonen dhe Sebastian Vettel. Finlandezi u rendit i 17, ndërsa Vettel nuk regjistroi kohë të shpejtë.

Në sesionin e dytë, Hamilton e përshkoi pistën e Melbërnit me 1 minutë 38 sekonda e 841 të mijtat i ndjekur nga Hulkenberg në vendin e dytë dhe Kimi Raikkonen në të tretin. Nuk shkuan mirë gjërat për Rosberg në këtë sesion i cili doli nga pistë duke u përplasur me muret mbrojtëse duke shënuar aksidentin e parë në këtë sezon të ri.

Piloti i Red Bull, Daniel Ricciardo, u rendit i katërti dhe menjëherë pas tij u pozicionua Carlos Sainz Jr. Mirë u shfaqën 2 pilotët e McLaren Alonso e Button të renditur në vendin e 6 dhe të 7. Sebastian Vettel ishte larg Hamilton duke u renditur i 8 me rreth 2 sekonda më shumë se britaniku.

Ditën e shtunë do të zhvillohen provat zyrtare me një format të ri, ndërsa ditën e diel është gara, të cilat do të transmetohen drejtpërrdrejt në Top Channel.

Top Channel