Europa League, eliminohen Lazio, Valencia e Leverkusen

17/03/2016 00:00

Shpresa e vetme e futbollit italian në Europë, Lazio, është eliminuar nga modestët e Spartës. Në “Olimpico”, të besuarit e Piolit u turpëruan duke u mundur 0-3.

Vetëm dhjetë minutë lojë në Romë dhe miqtë kishin shënuar golin e parë me anë të Dockal. Nuk kaluan as dy minuta dhe Krejci, që më parë kishte asistuar golin, shënoi për 0-2.

Skuadra çeke u kujdes që të mbyllte të gjitha llogaritë në pjesën e parë, saktësisht në minutën e 44 kur Julis shënoi edhe golin e tretë duke dhënë edhe emrin e skuadrës së parë që kalon në çerekfinale të Europa Leagues.

Në këtë takim nuk munguan as incidentet. Rreth 30 persona u arrestuan nga policia italiane pasi sulmuan forcat e sigurisë me sende të forta. Po ashtu, pas pësimit të golit të tretë, në “Olimpico” shpërthyen thirrjet kundër presidentit Lotito dhe tribunës VIP, pjesë e së cilës ishte edhe Igli Tare.

Fat të njëjtë sikur Lazio kishte edhe skuadra e Gary Neville, Valencia, e cila edhe pse fitoi në fushën e saj 2-1, u eliminua nga Bilbao për shkak të rezultatit të ndeshjës së parë, që baskët e fituan 1-0 në shtëpinë e tyre.

Golat e Minas dhe Aderlan në pjesën e parë i zhvlerësoi Aduriz 15 minuta nga fundi. Trajneri anglez i Valencias, i cili po përballet me mungesë rezultatesh, u ndëshkua me të kuq pas protestave të vazhdueshme.

Ndërkohë, Villareal ka arritur të ruajë avantazhin prej dy golash nga ndeshja e parë në shtëpi ndaj Bayer Leverkusen dhe të radhitet në mesine skuadrave cerekfinaliste. Në Gjermani, ndeshja u mbyll në barazim 0-0.

Top Channel