Premier League, trajnerët italianë më të suksesshmit

17/03/2016 00:00

Kualifikimi i Shqipërisë në Europianin e 2016-s bëri që tifozët shqiptarë të shijojnë frytet e shkollës italiane të trajnerëve, por kjo shkollë pritet të shënohet me shkronja të arta edhe në kampionatin anglez.

Nëse Licester City arrin të fitojë titullin, atëherë trajnerët italianë do të bëhen më të suksesshmit në atë që llogaritet si kampionati më i fortë në botë, Premier League.

Aktualisht, dy trajnerë italianë kanë arritur të ngrenë kupën në fund të sezonit, Carlo Ancelotti me Chelsean dhe Roberto Mancini me Manchester City, me numër të barabartë me Skocinë që njeh dy trajnerë fitues Sir Alex Ferguson (Manchester United) dhe Kenny Dalglish (Blackburn).

Chelsea është skuadra që i ka besuar më shumë trajnerëve italianë dhe ata i kanë dhuruar londinezëve plot 9 trofe. Prandaj, tifozët e Chelseat duhet të mendojnë dy herë kur dalin kundër Antonio Contes, si një nga kandidatët më të mundshëm për t’u ulur në stolin “blu” sezonin e ardhshëm.
 
Gianluca Vialli, Chelsea: 1998-2000
Trajneri i parë italian në kampionatin anglez. Në vetëm dy vite e gjysmë, ai udhëhoqi “blutë” drejt triumfit në Kupën e Ligës, Kupën FA (dy herë), Superkupë dhe Superkupën Europiane. Ai u shkarkua për t’i hapur rrugë Claudio Ranierit.

Attilio Lombardo, Crystal Palace: 1998
Mori drejtimin e “shqiponjave” në mes të sezonit 1997-98. Crystal ishte i fundit në klasifikim dhe me pak shpresa për mbijetesë. U largua në fund të atij sezoni pasi nuk arriti të bëjë mrekullinë për të mbajtur Palace në kampionatin elitar anglez.

Claudio Ranieri, Chelsea: 2000-04, Leicester: 2015-aktualisht
Gjatë kohës sa ishte në “Stamford Bdrige” ai nuk fitoi asnjë trofe, por gabimi i tij më i madh ishte se nuk ishte Jose Mourinho. Udhëhoqi Chelsean drejt gjysmëfinales së Championsit, e para në histori të klubit, duke eliminuar gjatë rrugës Arsenalin që në të njëjtin vit fitoi titullin pa asnjë humbje.

Ai po tejkalon çdo pritshmëri me Leicester këtë sezon dhe mund të bëhet trajneri i tretë italian që fiton Premeir Leaguen.

Gianfranco Zola, West Ham: 2008-2010
Ishte një zgjedhje surprizë për zëvendësimin e Alan Curbishley. Ai filloi mjaft mirë duke arritur të pozicionojë skuadrën e West Ham në vendin e nëntë në fund të kampionatit. Në sezonin pasues, londinezët patën një rënie në rezultate dhe mbijetuan në javën e fundit. Zola u shkarkuar dhe u zëvendësua nga Avram Grant.

Carlo Ancelotti, Chelsea: 2009-2011
I jashtëzakonshëm në sezonin e parë në “Stamford Bridge”, ku fitoi titullin dhe Kupën FA. Ai dështoi në Europë dhe në sezonin pasardhës nuk arriti të fitojë asnjë trofe. Kjo bëri që Chelsea ta shkarkojë italianin dhe të emërojë Villas-Boas si pasues të tij.

Roberto Mancini, Manchester City: 2009-2013
Udhëhoqi “qytetarët” drejt trofeut të parë në 35 vite kur fitoi Kupën FA në sezonin e tij të dytë të plotë. Po ashtu, trajneri aktual i Interit, arriti të fitojë titullin në vitin pasues, ndërsa humbja në finalen e Kupës FA në 2013-n bëri që sheikët ta shkarkojnë.

Roberto Di Matteo, West Brom, 2010-11, Chelsea: 2012
Riktheu “baggies” në Premier League dhe që nga ajo kohë asnjëherë nuk e kanë provuar shijen e hidhur të rënies nga kategoria. Por, ishte pikërisht kjo frikë, rënia nga kategoria, që detyroi drejtuesit e West Brom ta shkarkojnë në shkurt të 2011-s pas rezultateve të dobëta.

Ai zëvendësoi trajnerin Villas-Boas te Chelsea në mars të vitit 2012 dhe bëri historinë. Ai fitoi Kupën FA dhe trofeun më të çmuar europian, Champions Leaguen.

Paolo Di Canio, Sunderland: 2013
Nuk fitoi asnjë trofe, por të mbash “macet e zeza” në Premier League nuk është një gjë e vogël. Një start aspak i mirë në sezonin 2013-14 bëri që ai të shkarkohet dhe të zëvendësohet me Gus Poyet.

FOTO GALERI
1/8
Gianluca Vialli, Chelsea: 1998-2000

Top Channel