Champions, eliminimi i Juves gëzon… Anglinë

17/03/2016 00:00

Me eliminimin e Juventusit nga Liga e Kampionëve, për futbollin italian komplikohen edhe më shumë llogaritë këtë sezon në futbollin europian.

Avancimi i skuadrave angleze në dy turnetë prestigjiozë të kontinentit të vjetër është reflektuar dhe në pikaverazhin e çmuar të renditjes së UEFA-s, që reflektohet në vendin e 4 të shumëdiskutueshëm të Champions.

Mes futbollit anglez dhe atij italian janë aktualisht më shumë se 4 pikë diferencë dhe duke parë ekipet e kualifikuara, diferenca është e pakalueshme për formacionet nga Apeninët.

Sezoni që po mbyllet pritet të jetë më i keqi në 4 vitet e fundit për ekipet e flamurit tringjyrësh. Në majën e renditjes, dominon Spanja e cila ka arritur thuajse në 100 pikë, ndërsa në vendin e dytë me distancë të madhe është Gjermania.

Italia e humb tashmë duelin për shkallën më të ulët të podiumit dhe mban gjithsesi një hendek me Francën që kompleton 5-shen e më të fortëve.

Por si funksionojnë koeficentët kombëtarë të UEFA-s që sjellin dhe numrin e vendeve nëpër kupa? Pikët fitohen në bazë të rezultateve të marra nga klubet e secilës federatë në 5 sezonet e fundit të Champions dhe Europa League.

Çdo skuadër merr 2 pikë për një fitore dhe një pikë për barazimin dhe kushdo që kualifikohet në raundin tjetër, shton një pikë ekstra në bilancin nacional. Kur dy federata kanë të njëjtin numër pikësh falë klubeve, atëherë fiton federata me renditjen paraardhëse më të mirë.

Top Channel