Gjyqi ndaj Radovan Karaxhiç, ish-Presidentit serb të Bosnjës dhe komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, pritet të mbyllet në Gjykatën Kriminale për ish-Jugosllavinë në Hagë, javën e ardhshme më 24 mars.

Karaxhiç përballet me burg të përjetshëm pasi mbi të rëndojnë 11 akuza për krime lufte, krime kundër njerëzimit, vrasje, deportim, terror dhe sulme të paligjshme kundër civilëve.

Ish-lideri serbo- boshnjak mohon akuzat dhe është vetëmbrojtur në Hagë. Ai përballet edhe me akuzën për gjenocid, për vrasjen e më shumë se 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë nga Srebrenica, kur forcat etnike serbe ekzekutuan pengjet.

Karaxhic, që qëndroi në arrati për 13 vjet pasi u akuzua në 1995, po ashtu përballet edhe me akuza në lidhje me rrethimin 43 mujor të kryeqytetit boshnjak, Sarajevë, ku vdiqën më shumë se 5 mijë civilë. Karaxhic hyri në politikë ndërsa shpërbërja e ish-Jugosllavisë kish filluar të ndjehej.

Bashkë me komandantin e tij ushtarak, gjeneralin Ratko Mlladiç, menjëherë e pozicionoi veten si një lider të fortë lufte. Si edhe shumë të tjerë që u bënë të njohur në të dyja frontet e luftës së Bosnjës, ai nuk ishte i lindur në Bosnje.

Karaxhiç ka lindur në vitin 1945 në Malin e Zi dhe u transferua në Sarajevë kur ishte i ri. Au u arrestua në një autobus në periferi të Beogradit në korrik të vitit 2008, ku kishte jetuar duke u maskuar si një doktor i mjeksisë alternative. Ai kishte rritur flokët, kishte lënë mjekërr dhe kishte vendosur syze për të mos u njohur.

Pas arrestimit, u ekstradua në Holandë për t’u përballur me gjykatësit e Hagës. Ai është munduar pa sukses ta vonojë gjyqin e tij ndërkohë që ka tentuar të rrëzojë edhe akuzat me pretendimin se ish-ndërmjetësi amerikan për paqen, Ricard Hollbruk, i kishte ofruar atij imunitet në 1996 nëse largohej nga jeta publike.

Top Channel