“Bruno, të falënderoj shumë, shumë respekt. Edhe është një kompliment shumë i madh për mua që në këtë valë prurjesh në Partinë Socialiste të të kemi një nga të rinjtë që na bashkohen”, iu drejtua Rama aktorit Bruno Shllaku.

Hyrja e aktorit të njohur shkodran, Bruno Shllaku, në Partinë Socialiste nuk kaloi pa komente në qytetin e tij të lindjes. Bruno Shllaku në këtë qytet ka thyer disa tabu, por për anëtarin më të ri të Partisë Socialiste vendimin e tij për t’u pozicionuar e kanë mbështetur të gjithë.

“Në mënyrë të jashtëzakonshme mirë. Nuk ishte befasi sepse unë kam qenë pas kuintave me Partinë Socialiste. Nuk kam pasur dëshirë për disa arsye të mia, jo frike, por që të krijoj acarime me njerëzit, duke e ndihmuar PS-në pas kuintave me një fuqi të pashtershme. Më në fund vendosa të pozicionohem edhe e kam bërë jashtëzakonisht mirë”, tha Shllaku.

Përveç roleve të tij në kinematografi dhe teatër, Bruno Shllaku është pjesë e një familje të persekutuar nga regjimi komunist. Ai është nipi i Gjon Shllakut, helenistit të dënuar me pushkatim dhe që më pas vuajti 16 vite burgim.

“Nuk mund të egzistojë që në Partinë Socialiste të ketë dallim që ky njeri është i persekutuar dhe nuk duhet të jetë në radhët tona, përkundrazi mua më kanë mirëpirtur në mënyrë të jashtëzakonshme, jam shumë mirënjohës mikut tim, Edi Ramës, sepse vet më tha mos më quaj ‘zoti’, që kërkesën time e mirëpriti dhe e duartrokiti, si ai edhe shumë të tjerëve të cilët udhëheqin Partinë Socialiste në qarkun e Shkodrës”, vijoi Shllaku.

Top Channel