Skandali i korrupsionit, FIFA kërkon 10 mln USD dëmshpërblim

16/03/2016 00:00

Konfederata Ndërkombëtare e Futbollit kërkon një dëmshpërblim prej 10 milionë dollarësh nga ish-zyrtarët e lartë të saj, për shkak të dëmit që i kanë shkaktuar imazhit të saj nga skandali i korrupsionit.

Drejtuesit e “qeverisë” së futbollit botëror konfirmuan se, tashmë e kanë dërguar dokumentacionin tek autoritetet amerikane, ku kërkohej ky dëmshpërblim si dhe pretendohej edhe rikthimi i pagave i personave të akuzuar, në arkat e FIFA-s.

Sipas drejtësisë amerikane, personat që kanë rezultuar fajtorë për përfshirjen në skandal, tashmë kanë pranuar të paguajnë mbi 190 milionë dollarë, të cilat sipas FIFA-s do të përdoren për të kompensuar viktimat e këtij skandali, e sidomos anëtarët e Federatave të ndryshme.

Por jo vetëm kaq. FIFA u kërkoi hetuesve amerikanë edhe kryerjen e auditimit të pasurive të ish-presidentit të CONCACAF, Jeffrey Webb. Sipas këtij institucioni, Webb, i cili është i përfshirë në skemën e mashtrimit në skandalin e vitit të kaluar, po bën një jetë tej mase luksoze, madje festoi në një kazino ditëlindjen e tij.

Skandali i shpërthyer në vitin 2015 çoi nën akuzë 42 zyrtarë të lartë të FIFA-s për mashtrime dhe pastrim parash, ndërsa ish-presidenti këtij organizmi, Sepp Blatter, u dënua me 6 vite pezullim. Në fund të muajit shkurt, FIFA organizoi mbledhjen e jashtëzakonshme të saj, ku zgjodhi edhe presidentin e ri, ish-Sekretarin e Përgjithshëm të UEFA-s, Gianni Infantino.

Top Channel