Kosovë, arrestohen dy persona të dyshuar si rekrutues të ISIS-it

16/03/2016 00:00

Policia e Kosovës njofton se specialistë të Antiterrorizmit kanë arrestuar dy të dyshuar për rekrutim, organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, gjatë dy operacioneve të ndryshme që janë kryer të martën dhe të mërkurën në Kosovë.

Operacioni i parë është kryer në rajonin e Prizrenit, ku në pranga ka rënë shtetasi P.D., i dyshuar për financim apo lehtësim të terrorizmit. Policia njofton se P.D. ka financuar së paku në një rast dy persona, me qëllim pjesëmarrjen në grupe terroriste në konfliktet jashtë vendit.

Kjo vepër, sipas policisë ka mbetur në tentativë, pasi personat e ndihmuar nga i dyshuari janë ndaluar në dhjetor 2015, teksa po udhëtonin për në zonën e konfliktit.

Ndërsa operacioni tjetër është zhvilluar në rajonin e Prishtinës dhe Pejës, ku janë kontrolluar objektet e banimit dhe bizneset e të dyshuarit F.R..

Bazuar në hetimet e kryera që nga viti 2014, dyshohet se F.R. ka vënë në dispozicion bizneset e tij me qëllim mbështetjen financiare dhe logjistike të personave të përfshirë në zonat e konflikit, bën të ditur komunikata e policisë.

Sipas policisë, shumë prej personave të ndihmuar nga F.R. janë arrestuar për vepra penale dhe disa prej tyre aktualisht gjenden në Siri dhe Irak, ndërsa persona që kanë qenë të punësuar në bizneset e tij janë raportuar të vrarë në zonën e konfliktit.

F. R. akuzohet për rekrutim për terrorizëm, organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, lehtësim në kryerje të terrorizmit dhe financim të terrorizmit.

Që nga viti 2010, në Kosovë janë trajtuar nga drejtësia 61 çështje të ndërlidhura me terrorizmin, shumica prej tyre gjatë vitit 2015.

Top Channel