Ermonela Jaho “sjell” ambulancat

16/03/2016 00:00

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, e cila ka disa javë që performon në Operan Mbretërore të Londrës më “Triptikun” e Puccinit, në rolin e murgeshës Angelica, është e pafjalë dhe është dyzuar në reagimin e saj, pas lajmit se në shfaqjet e saj Opera Mbretërore ka thirrur disa herë – siç ndodhi edhe të martën në mbrëmje, – ambulancën dhe mjekët për të ofruar ndihmë mjekësore për spektatorët, të cilët janë emocionuar dhe tronditur nga dramaciteti dhe loja mjaft e ndjerë e këngëtares shqiptare.

Kjo ka ndodhur disa herë gjatë këtyre javëve dhe faktin e konfirmon për Top Channel, Salvatore Scalzo, menaxher i Operas Mbretërore në “Covent Garden”. Ai thotë se “kemi pasur disa raste të tilla dhe kjo i dedikohet padyshim klasit të Jahos në rolin e Sur Angelica”.

“Nuk kemi pasur raste të ngjashme vitet e fundit, me aq sa kam punuar unë në këtë Opera. Ovacionet dhe duartrokitjet në sallë flasin vet për talentinin e Ermonelës”, shton më tej Salvatore Scalzo, i Operas Mbretërore në Londër.

Rasti i shfaqjes së të martës përfshiu një grua, e cila kishte pasur një histori të ngjashme me rolin e sopranos shqiptare. Kur kishte qenë e re, ajo kishte mbetur shtatzënë, i kishin marrë fëmijën dhe e kishin mbyllur në një konventë. Pak a shumë ky është edhe roli i Ermonela Jahos si Sur Angelica te opera e Puccinit.

Alastair Campbell, bashkëpunëtori më i ngushtë i Tony Blair, i cili ndoqi shfaqjen e sopranos shqiptare mbrëmë në Londër, u shpreh se Ermonela Jaho ishte e jashtëzakonshme dhe prekëse. Thuajse të gjitha gazetat kryesore britanike kanë shkruar si rrallë herë me vlerësime shumë pozitive për performancën në Londër të sopranos shqiptare, Ermonela Jaho.

Top Channel