Sirianët  kthehen në  Greqi. Të dëbuarit nga Maqedonia: Jemi dhunuar nga policia

15/03/2016 00:00

Grupi me refugjatë të cilët tentuan të kalonin kufirin për të hyrë ilegalisht në Maqedoni, nëpërmjet  lumit të rrëmbyeshëm, u kapën nga policia maqedonase dhe u kthyen në kampin grek të Idomenit.

Sirianët e përshkruajnë si të stërmundimshëm udhëtimin e tyre ilegal. Më shumë vështirësi duket se kishte për Hassan Omar, i cili në karrige me rrota ka përshkruar të gjithë itinerarin nga Siria.

“Disa gazetare më ndihmuan të kaloja mes përmes, ne e depërtuam edhe në kufirin maqedonas, dhe u shokuam kur pamë ushtrinë atje. Ata u treguan të ashpër me ne, na u duk sikur kishim përballë makinerinë e vdekjes dhe jo njerëz që kishin të bënin me ne. Ushtria na ndau nëpër grupe, na morën telefonat, madje trembën edhe gazetarët, duke i bërtitur atyre”, tha Hassan Omar.

E ndërsa një tjetër sirian, Abdo pranon se është dhunuar fizikisht nga autoritetet maqedonase.

“Kur mbërritëm atje, ishte një djalë palestinez dhe një tjetër nga Daraa, të cilët filluan të bërtisnin, dhe  policia maqedonase u zemërua. Më pas, ndërhymë të gjithë ne sa ishim aty rreth 5 mijë. Aty na ndanë, na hodhën përtej kufirit dhe na thanë, vraponi. Mua më goditën, nuk e di çfarë ndodhi me të tjerët, por mua më goditën në dorën, të cilën e kisha të thyer dhe tani as që e mbyll dot më”, shprehet refugjati sirian.

600 refugjatë u kthyen nga Maqedonia në Greqi. Në kampin e Idomenit janë të strehuar rreth 12 mijë refugjatë, shumica gra dhe fëmijë.

Top Channel