Sportistja me shami

15/03/2016 00:00

E quajnë Ibtihaj Muhamed dhe është e para sportiste me shami që do të jetë pjesë e skuadrës olimpike amerikane në Lojërat e Rio De Zhaneiros të këtij viti. Ibtihaj Muhamed praktikon sportin e skermës dhe ka fituar disa medalje në karrierën e saj.

E ftuar në emisionin “the Elen DeGeners Show”, Ibtihaj Muhamed e rritur në Nju Xhersi në ambient mysliman, tregon arsyet që ajo zgjodhi sportin e skermës për të bërë karrierë.

“Vëllezërit e mi luanin futboll, ndërsa motrat e mia vojelboll -tregon Ibtihaj Muhamed- provova të aplikoja këto sporte, por ime më tentonte që të ndryshonte uniformat duke zgjatur mëngët apo pantallonat. Kur isha 12-vjeç pashë disa vajza të një shkolle që po praktikonin skermën me maskat në kokë, ndërkohë që edhe krahët e këmbët ishin të mbuluara dhe vendosa që ta provoja edhe unë”, tha ajo.

Ibtihaj Muhamed, vajza e një dedektivi dhe mësueseje, deklaron me forcë se është amerikane dhe myslimane. Ajo shpreson që shembulli i saj të shërbejë për të ndalur këtë urrejtje ndaj isalmit që po predikohet në vend dhe që po nxitet shumë nga kandidati republikan për president, Donald Trump.

Ibtihaj Muhamed, debutoi në Botërorin e skermës në vitin 2010 duke ndihmuar skuadrën amerikane të fitojë medaljen e bronztë, ndërsa në vitin 2012, skuadra e SHBA u shpall kampione e botës.

Në aktivitete shpesh është shfaqur me shami të ngjyrave të ndryshme në kokë, madje ka krijuar edhe një linjë të shitjes së tyre në internet për t’u dhënë më shumë ngjyra veshjeve tradicionale myslimane.

Top Channel