“Përralla” shqiptare është kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë në garën europiane të muzikës, “Eurosong”. Një përzierje elementësh kombëtarë, ku në qendër të simboleve tradicionale është duvaku, ndërsa nuk mungon edhe ndërthurja me elementë modernë.

“Që nga fillimi i këngës është folklor. Kam dashur të bëj një përzierje mes Europës dhe kulturës sonë. Do t’i rrijë më mirë skenës së Eurovizionit”, thotë kompozitorja e këngës Olsa Toqi.

Realizimi i videoklipit nuk ka qenë i thjeshtë për protagonisten, e cila tregon detajet dhe vështirësitë.

“Kam një skenë që jam në lisharës. Aty kam ndenjur për rreth 3 orë duke u lëkundur. Më ka mbajtur një vinç dhe ai më drejtonte e rrotullonte. Unë duhej të çohesha ndonjëherë në këmbë por më dukej sikur hallkat do të shkëputeshin. Por ishte diçka shumë e bukur dhe shumë këndshëm”, tha më tej Eneda Tarifa, këngëtare.

“Fairytail” është bërë publik vetëm prej dy ditësh, ndërsa menjëherë ka gjetur mbështetjen e fansave brenda dhe jashtë kufijve, dashamirës që do të shoqërojnë përmes ekranit Eneda Tarifën, në realizimin e kësaj ëndrre në skenën e madhe të “Eurosong”.

“Do të përmbushet një nga ëndrrat e mia për të kënduar në një nga skenat më të mëdha. Më duhet ta marr me qetësi, më duhet ta pranoj dhe t’i them vetes: më në fund po realizoj diçka që e kisha ëndërr prej vitesh”, shprehet Eneda Tarifa.

Top Channel