Dita e Mbrojtjes së Konsumatorit, kosovarët të shqetësuar për sigurinë e ushqimeve

15/03/2016 00:00

Dita ndërkombëtare e Mbrojtjes së Konsumatorit e gjen Kosovën në një situatë, kur qytetarët kanë shqetësime të mëdha në lidhje me sigurinë e ushqimit që konsumojnë dhe cilësinë e prodhimeve në treg.

Duke folur në një tryezë të organizuar nga zyra e Bashkimit Europian në Prishtinë, kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku ka folur rreth një kaosi që mbizëtoron tregun kosovar.

“Ka importe të pakontrolluara. Na habit lejimi i importeve pa analiza paraprake laboratorike. Kemi shumë probleme me deklarimet. Vazhdon mbajtja, ekspozimi, ofrimi i qumështit nën efektin e tymit. Sikurse edhe çmimet që ndryshojnë në rafte dhe në arkë”, tha Selatin Kaçaniku, kryetar i “Konsumatori”.

Shqetësimi duket në çdo kohë në rrjetet sociale, ku qytetarët postojnë vazhdimisht foto produktesh të skaduara që i ndeshin nëpër dyqane.

Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, e cila mbikëqyr dhe asgjëson produktet e këqija për konsumatorin, thonë se një rol të rëndësishëm në tërheqjen e mallrave të dyshimta nga tregu luajnë edhe ankesat e qytetarëve.

“Ka pasur raste, kur falë ankesave të konsumatorëve janë zbuluar sasi produktesh, që janë tërhequr nga tregu dhe janë asgjësuar. Natyrat e ankesave te ne janë të ndryshme. Kemi prej produkteve me afat të skaduar, produkte të ruajtura në mënyrë jo të përshtatshme, produkte që rezultojnë se nuk iu përmbahen kushteve të konsumimit”, tha Lamir Thaçi, zëdhënës i AUV.

Gjatë vitit 2015, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka kryer mbi 57 mijë inspektime, duke asgjësuar mbi 540 mijë kg mall dhe mbi një milion litra produktesh me afat të skaduar, të cilat nuk ishin ruajtur në kushtet e duhura.

Top Channel