NBA, Golden State arrin fitoren e 60. Festë edhe për Stephen Curry

15/03/2016 00:00

Stephen Curry e festoi në mënyrën më të mirë të mundshme 28-vjetorin e tij. Basketbollisti i Golden State Warriors udhëhosi skuadrën e tij drejt suksesit ndaj New Orleans 125-107, duke bërë që kampionët në fuqi të NBA-së të shënojnë fitoren e 60, në 66 ndeshje të zhvilluara deri më tani.

Stephen Curry, MVP i sezonit të kaluar e mbylli ndeshjen me 27 pikë, 5 topa në tabelë dhe 5 asist.

Chicago Bulls, nga ana tjetër, rigjen fitoren në NBA dhe kthehet në zonën e “play-off”-it në Konferencën e Lindjes. Skuadra nga Illinois mundi Toronton në “Air Canada Center” 109-107, duke shënuar fitoren e 9 radhazi ndaj kësaj skuadre.

McDermott ishte ai që u bë protagonist për Bulls me 29 pikë të shënuara, ndërkohë që Jimmy Butler, i cili mungoi në 3 ndeshje, e mbylli sfidën me 13 pikë të shënuara.

Në ndeshjet e tjera të NBA-së, Oklahoma konsolidon vendin e tretë në Përëndim, duke fituar me lehtësi ndaj Portland 128-94. Houston shkatërroi Memphis 130-81, Miami mundi Denver 124-119, ndërsa Cleveland u mposht nga Utah Jazz 85-94.

Top Channel