Dëshpërimi po vret refugjatët. Marshimi i shpresës u kthye në tragjedi

15/03/2016 11:05

Dëshpërimi përballë barrierave dhe kufijve të mbyllur gjatë të gjithë rrugës ballkanike, është ai që i shtyn emigrantët e bllokuar në kufirin greko-maqedonas të ndërmarrin veprime të dëshpëruara, siç ishte kalimi i lumit të Thatë, ku humbën jetën 3 vetë: një 27-vjeçare afgane shtatzënë, motra e saj 17 vjeç dhe një kushëriri i tyre.

Ndërsa 23 persona të tjerë u shpëtuan. Televizionet vendase transmetuan drejtpërdrejt pamjet filmike të burrave, grave, pleqve e fëmijëve që përballeshin me ujërat e trazuara të lumit, niveli i të cilit ishte rritur nga reshjet e dendura të shiut.

Episodi fatkeq gjeti pasqyrim të gjerë në rrjetet sociale dhe me hashtagun “Marchofhope”, apo “Marshimi i shpresës”, Twitter shpërndau fotot e momentit dramatik.

Policia dhe ushtria maqedonase u përpoqën t’u ndalonin me forcë emigrantëve hyrjen në Maqedoni, por disa prej tyre arritën të kalojnë. Nuk dihet ende çfarë fati i pret refugjatët që u hodhën në anën tjetër, por gjasat më të mëdha janë që autoritetet t’i kthejnë mbrapsht në Greqi.

Mediat italiane thonë se, në mesin e njerëzve që kaluan lumin e Thatë ishin edhe 50 gazetarë, të cilët po ndiqnin rrugëtimin e emigrantëve. Ata janë ndaluar për kalim të paligjshëm të kufirit dhe u janë nënshtruar kontrolleve të identitetit në Komisariatin e Gjevgjelisë, ndërsa do t’u duhet të paguajnë edhe një gjobë prej rreth 250 eurosh.

Top Channel