Partizani-Skënderbeu, sfida e kreut u mbyll në barazim

14/03/2016 00:00

As Partizani e as Skënderbeu nuk mundën dot të fitojnë sfidën më të rëndësishme të javës së 26 të Kategorisë Superiore. Përballja mes tyre e zhvilluar në “Qemal Stafa” përfundoi në barazimin 1-1, në një ndeshje ku u pa gjithçka, golat, tensioni, kartoni i kuq si dhe një penallti e humbur.

Partizani u shfaq agresiv që në minutat e para të ndeshjes duke kërkuar më shumë se Skënderbeu. Në minutën e 19-të, Raçiç iu afrua golit të avantazhit për “të kuqtë”, por nuk mundi dot të godasë në portën e Shehit.

Megjithatë sulmuesi i skuadrës kryeqytetase e korrigjoi gabimin pak sekonda më vonë kur e dërgoi topin në rrjetë duke përfituar edhe nga një gabim i portierit Shehi, për të festuar pranë tifozerisë së Partizanit në mënyrën “alla Totti” me një “selfie”.

Skënderbeu nuk mundi dot që të bënte shumë në pjesën e parë e cila u mbyll me avantazhin 1-0 për Partizanin.

Në pjesën e dytë, Skënderbeu fitoi më shumë terren duke tentuar më shpesh zonën e skuadrës së Agostineli. Por në minutën e 75-të, Partizani pati mundësinë më të mirë për të dyfishuar rezultatin me anë të një 11-metërshi të cilin Raçiç nuk mundi dot ta konvertojë në gol.

Në këtë përballje nuk munguan as momentet e tensionit. Dy amerikano-latinët e Partizanit e Skenderbeut, Torrasa dhe Eskerdinja u bënë protagonistë të një sherri mes tyre ku u përfshinë edhe lojtarë të tjerë të të dyja skuadrave, ndërkohë që tifozët filluan te hidhnin tymosëse në fushën e lojës.

Gjithsesi ky incident u mbyll shumë shpejt dhe loja u zhvillua normalisht. Pikërisht kur u mendua se Partizani po shkonte drejt një fitoreje tjetër ndaj Skënderbeut, korçarët goditën me Vangjelin që shënoi golin e barazimit në 1-1 pas një goditje dënimi.

Ndërsa të gjithë i gëzoheshin golit, Osmani pa t’i tregohej kartoni i dytë i verdhë që u kthye në të kuq duke u detyruar të mbyllë para kohe ndeshjen.

Koha shtesë prej 5 minutash nuk solli asgjë të re dhe skuadrat u larguan nga fusha e lojës me vetëm 1 pikë të fituar duke e lënë të pandryshuar situatën mes tyre, në 4 pikë diferencë.

Top Channel