Mbyllja e kufijve për refugjatët, ministri grek: Shqipëria ksenofobe!

14/03/2016 00:00

Në një intervistë për “Financial Times”, ministri grek plotësues i Mbrojtjes, Dimitris Vitsas, duke folur për krizën e refugjatëve që përballon Greqia, ka shfaqur zhgënjimin e tij për disa vende europiane, që nuk kanë pranuar të strehojnë përkohësisht qoftë edhe një numër të vogël prej tyre.

Pavarësisht se nuk i përmend emrin, ai duket se i referohet qartë Shqipërisë, kur deklaron:

“Disa vende kanë qeveri, që duket se udhëhiqen nga ksenofobia. Midis tyre janë edhe shumë nga ato shtete, që kanë dërguar dhjetëra mijëra emigrantë ‘ekonomikë’ në Greqi, 25 vite më parë. Por tani, të njëjtat vende nuk duan të pranojnë refugjatët sirianë që vijnë nga Greqia. Sipas mendimit tim personal, ky është një turp”, shprehet Dimitris Vitsas.

E ndërsa numri i refugjatëve dhe emigrantëve ka arritur në rreth 47 mijë në Greqi, pasi sipas ministrit hyrjet e tyre janë më shumë se 1.500 vetë në ditë, funksionari grek ka deklaruar gjithashtu se, shumica e refugjatëve do të presin muaj e deri në dy vite, për t’u vendosur në vendet e tjera të BE-së, veçanërisht nëse realizohen parashikimet se Greqia do të pranojë rreth 100 mijë vetë.

“Ne duhet të pranojmë gjithashtu se, disa emigrantë do të qëndrojë në Greqi në mënyrë të përhershme dhe kjo do të ndodhë”, ka thënë ai.

Komisioni Europian po e shtyn ende fillimin e një plani për transferimin e 6.000 refugjateve në muaj drejt shteteve anëtare, një objektiv shumë ambicioz sipas gazetës, pasi në 9 muajt e parë të këtij plani mezi janë dërguar vetëm 600 persona.

Por, problem kryesor për Greqinë në orët e fundit është evakuimi i kampit provizor të Eidomenit, ku mijëra njerëz jetojnë në kushte dramatike, me rreziqe për shëndetin e tyre.

Sipas Dritsa, deri në fund të kësaj jave Eidomeni duhet të evakuohet, duke bindur refugjatët se kufiri me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë nuk do të hapet dhe ata duhet të dërgohen menjëherë në 3 kampet e tjera të organizuara, që ndodhen vetëm 20 km më larg.

Top Channel