Dortmund, tifozi vdes në mes të ndeshjes

14/03/2016 12:00

Borusia e Dortmundit fitoi 2-0 ndaj Mainzit për të mbajtur të hapur luftën me Bajernin e Mynihut për titullin, por skuadra verdhezi nuk mundi t’i gëzohej këtij suksesi. Gjatë zhvillimit të takimit, një tifoz pësoi një atak kardiak duke humbur më pas jetën e duke bërë që në “Signal Iduna Park” të pllakosë heshtja, gjë që çorientoi disi lojtarët e Borusias.

“Ishte një situatë që na nervozoi disi. Nuk po kuptonim se çfarë po ndodhte. Në fund, trajneri na tregoi se çfarë ndodhi dhe në atë pikë futbolli kaloi në plan të dytë”, tha Reus pas përfundimit të sfidës.

Të gjithë të pranishmit nuk ngurruan të nderojnë viktimën duke kënduar “You’ll Never Walk Alone”, duke e lënë mënjanë festën për fitoren e skuadrës së tyre dhe duke u treguar për të disatën herë të jashtëzakonshëm.

Nuk munguan reagimet e drejtuesve më të lartë të klubit verdhezi për çfarë ndodhi. Kështu, presidenti i Borusias falenderoi tifozët e të dyja skuadrave për solidaritetin e treguar për këtë ngjarje. Ndërsa trajneri Tuchel deklaroi se e di shumë mirë që ka gjëra më të rëndësishme se futbolli, por kjo nuk i pengon futbollistët që të japin maksimumin në ndeshje dhe në stërvitje.

Top Channel