F1 “ndez motorët”, risitë e Botërorit 2016

14/03/2016 11:30

Këtë fundjavë nis zyrtarisht Botërori i ri i Formulës 1 me Çmimin e Madh të Australisë. Mercedesi është skuadra për t’u mundur edhe këtë sezon, ndërkohë që rivali më i fortë për të duket se është Ferrari i cili është përmirësuar, gjë që e tregoi gjatë testeve të Barcelonës.

Por Botërori i Formulës 1 të këtij viti mund të quhet fare mirë kampionati i risive, kjo për shkak të disa ndryshimeve që janë bërë, ku kryesori është ai i formatit të provave zyrtare. Këtë vit, kualifikueset në Formulën 1 do të zhvillohen me sistem eliminimi. Në të 3 minisesionet, pilotët më të ngadaltë do të skualifikohen çdo 90 sekonda.

Tjetër risi e këtij sezoni në Formula 1 është përdorimi i gomës super të butë, që do të ketë shirit me ngjyrë vjollcë. Këtë vit, në total çdo pilot do të ketë në dispozicion 13 sete gomash, por kombinimet do të jenë të ndryshme.

Ndryshimi tjetër në këtë sezon të Formulës 1 është kufizimi në komunikimet me radio. Dhe e gjithë kjo bëhet për të bërë akoma më shumë protagonist pilotin dhe garën më të paparashikueshme.

Kalendari i këtij viti do të jetë më i gjati, pasi do të zhvillohen 21 gara, ku të bie në sy rikthimi i Çmimit të Madh të Gjermanisë në Hokenhajm dhe debutimi i garës së Azerbajxhanit në Baku. Duke pasur paraysh këtë fakt, çdo pilot do të ketë të drejtë të përdorë 5 motorë dhe jo 4, siç ishte sezonin e kaluar. 

2016 është edhe viti i debutimeve në Formulën 1. Kjo për faktin se këtë sezon do të ketë një skuadër të re, Team Haas, ndërkohë që skuadra Manor do të hedhë në pistë Rio Harianton, pilotin e parë indonezian që është pjesë e botërorit të F1.

Të 21 garat e Botërorit të Formulës 1 të këtij viti do të transmetohen drejtpërdrejt në Top Channel.

Top Channel