Përmbytje në Kosovë, lumenjtë dalin nga shtrati

13/03/2016 00:00

Reshjet e vazhdueshme ditët e fundit në Kosovë, kanë bërë që lumenjtë Llap, Sitnicë dhe Ibër të dalin nga shtrati, duke vërshuar zonat përreth, kryesisht në komunën e Obliqit dhe të Mitrovicës veriore.

“Në komunën e Kastriotit, niveli i ujit të lumit Sitnica është në ngritje. Janë përmbytur disa fusha. Sa i përket pjesës veriore, vërshime ka nga lumi Ibër, në pjesën e komunës së Zveçanit dhe të Leposaviqit, ku janë përmbytur arat”, shprehet Mahir Hasani, koordinator i qendrës operative emergjente, Ministria e Punëve të Brendshme.

Në orët e para të së dielës, shiu ka dëmtuar edhe rrugën që lidh “Lagjen e Doktorëve” me “Kroin e Vitakut” në Mitrovicë, ku gjysma e rrugës së asfaltuar është shembur tërësisht. Po ashtu, përmbytje ka pasur edhe në fshatin Lupç të Prishtinës, Dobrevë të Fushë Kosovës dhe në zona të tjera fushore.

Ekipet emergjente gjenden në zonat e prekura, duke ndërhyrë me të gjitha kapacitetet. Ndërsa, sipas koordinatori të qendrës operative emergjente, shumicën e rasteve përmbytjet ndodhin si pasojë e pakujdesisë së qytetarëve dhe institucioneve lokale në mirëmbajtjen e lumenjve.

“Sa i  përket qyteteve, problemi është te infrastruktura. Ne duhet të kemi më tepër kujdes në zhvillimin e asaj infrastrukture. Mos të hedhim mbeturina nëpër lumenj, t’i përmbahemi planeve urbanistike, të mos ndërtojmë pa leje. Këto duhet t’i kemi parasysh. Parandalimi është më lirë se sa reagimi”, thotë Hasani.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se reshjet do të vazhdojnë edhe të hënën, e mund të shkaktojnë rritje te nivelit të ujit në rrjedhën e lumenjve.

Ndërsa, qendra operative e emergjencave ka në dispozicion 840 pjesëtarë aktiv për ndërhyrje, përfshi zjarrfikësit.

Top Channel