Serie A, Roma nuk di të ndalet, fitorja e 8 radhazi

13/03/2016 00:00

Verdhekuqtë e drejtuar nga Luciano Spalletti janë kthyer në një skuadër e frikshme për rivalët ne Serie A që nga janari. Roma arriti këtë të diel fitoren e 8 radhazi në Serie A në transfertë 1-2 ndaj Udineses.

Boshnjaku Dzeko dhe Florenzi ishin autorët e dy golave për Romën, ndërsa golin e vetëm të takimit për vendasit e Udineses e shënoi Fernandes, 5 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.

Fiorentina, një prej ekipeve që kërkon një vend në kupat e Europës sezonin e ardhshëm, hodhi një hap të gabuar këtë javë, duke barazuar 1-1 ndaj Veronës së vendit të fundit në “Artemio Franchi”.

Në duelin për mbijetesë Carpi – Frosinone, ishin vendasit ata që triumfuan me një penallti të kthyer në gol në minutën e 90 të ndeshjes. Arlind Ajeti luajti titullar për Frosinonen, por në këtë takim ishte i pafat.

Mesditën e së dielës në Serie A u luajt sfida me Chievos dhe Milanit, e cila u mbyll pa gola. Kuqezinjtë treguan edhe një herë se ndaj ekipeve të vogla e kanë mjaft të vështirë të gjejnë fitoren.

Kur janë luajtur 29 javë në Serie A, është Juventusi që udhëheq klasifikimin me 67 pikë, Napoli i dyti me 61 pikë, por me një ndeshje më pak, ndërsa Roma e treta, dy pikë më pak se Napoli.

Top Channel