Henry zbulon dëshirën: “Ibracadabra”, pranë Arsenalit

13/03/2016 00:00

Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në merkaton e verës në futboll, por lajmi se Zlatan Ibrahimoviç mund të firmosë me Arsenalin ka nisur që tani të bëjë bujë për tratativat potenciale.

Legjenda e skuadrës londineze, Thierry Henry, tashmë një opinionist luksi për platformat dixhitale britanike, ka zbuluar se gjiganti suedez, që aktualisht po frymëzon Paris St. Germain, dëshiron të bashkohet me “topçinjtë”.

Henry, që ka kaluar një dekadë të mbushur me suksese dhe trofe tek Arsenali, beson se Zlatan do të jetë një objektiv ideal për londinezët, në merkaton që nis në qershor. Ibrahimoviç bëhet një futbollist i lirë në verë, pasi duhet ende të gjejë një akord për zgjatjen e kontratës me kryesuesit e kampionatit francez, Ligue 1.

Edhe më parë, gjiganti me origjinë boshnjake ka lënë të kuptohet se, Premier League mund të jetë destinacioni i tij i ardhshëm.

“Kam dëgjuar disa herë se Zlatan Ibrahimovic dëshiron të vijë tek Arsenali, dhe ai nuk është i vetmi që kërkon të firmosë. Problemi është nëse do të konfirmohet pjesëmarrja në Champions League, pasi kjo është diçka që tërheq lojtarët më të mirë. Zlatan mund të luajë shumë mirë dhe mund t’i japë Arsenalit atë që duhet”, ka thënë Thierry Henry.

Francezi, duke folur për “Sky Sports” përmendi gjithashtu mesfushorin e Leicester City, N’Golo Kante, si një objektiv të mundshëm për formacionin e Arsene Wenger. Ish-bomberi francez ka refuzuar të heqë Arsenalin nga gara për titull.

Top Channel