Drama e legjendës Schumacher, heshtje shkatërruese

13/03/2016 00:00

Asnjë të re, përmirësim apo qoftë edhe një fjalë, që mund të lërë vend për interpretime apo iluzione te tifozët e Michael Schumacher anembanë globit.

I katandisur në gjysmën e peshës normale trupore dhe i mbajtur në jetë nga makineritë, ish-legjenda e Formulës 1, Michael Schumacher vazhdon të mbajë në një heshtje të frikshme mbështetësit e tij, me gjendjen e rënduar shëndetësore pas aksidentit me ski në Alpet franceze.

Sabine Kehm, menaxherja e kampionit gjerman ka shpjeguar edhe qetësinë absolute rreth kushteve fizike të Michael Schumacher, një zgjedhje e detyruar dhe e vendosur nga familja e 7 herë fituesit të titullit botëror në Formula 1.

“Nuk shikoj alternativë tjetër, pasi për çdo frazë që ne artikulojmë lindin pyetje të reja. Ato bëhen gjithashtu objekt i informacioneve të reja, por të pabaza. Kkështu nuk mbaron kurrë. Para aksidentit me ski, jeta private e Michael ishte e shenjtë dhe të gjithë e kishin pranuar, por tani është ndryshe”, tha Sabine Kehm, 50-vjeçarja bjonde, që e ka ndjekur Schumacherin në të gjitha pistat e botës dhe vazhdon ta mbrojë në të njëjtën mënyrë.

Pavarësisht presioneve dhe artikujve të ndryshëm, sipas saj nuk do dalin kurrë në shtyp buletinet mjekësore të ish-pilotit, që vuan ende pasojat e aksidentit të 29 dhjetorit 2013, në pistën e Meribelit në Francë.

Tashmë vila “Gland” në liqenin e Gjenevës vizitohet rrallë nga grupet televizive dhe në rezidencë futet vetëm një rreth i ngushtë vizitorësh, që kujdesen gjithmonë të mbajnë gojën mbyllur kur dalin jashtë banesës së Michael Schumacher.

Top Channel