Hasi rrezikon pankinën e Anderlechtit, shkak rezultatet e dobëta

13/03/2016 00:00

Distanca nga titulli kampion në Belgjikë dhe humbja e fundit në Europa League përballë Shakhtar Donetsk, e kanë rënduar pozicionin e Besnik Hasit në pankinën e Anderlechtit.

Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare, që drejton prej vitesh skuadrën e Brukselit, po përflitet gjithmonë e më shumë nga mediat sportive se, mund të mos e përfundojë sezonin aktual në stol.

Tekniku kosovar është në rrezik pas rezultateve të dobëta në periudhën e fundit. Anderlecht gjendet në vendin e tretë në renditjen e Jupiler League, me 52 pikë dhe me një hendek të madh me kryesuesit e Club Brugge. Skuadra kryeqytetase rrezikon madje të kalohet nga Oostende, në garën për të marrë pjesë në kupat europiane.

Ish-futbollisti shqiptar mori postin e trajnerit tek Anderlechti në mars të vitit 2014 dhe ka kontratë deri në qershorin e vitit 2017, por tashmë edhe presidenti i klubit, që ishte një mbështetës i flaktë i kosovarit, po përkulet para presionit të rezultateve.

Besnik Hasi është aktivizuar për 7 vite me radhë me kombëtaren shqiptare të futbollit, që nga viti 2000 deri në 2007-n. Ai ka shënuar 2 gola me fanelën kuqezi në 47 ndeshje të zhvilluara. Tekniku ndodhet prej vitit 2008 tek Anderlechti, në fillim si asistent dhe tashmë si drejtuesi kryesor teknik.

Top Channel