Kosovë, klasa politike dënon sulmin ndaj Parlamentit

12/03/2016 18:45

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli e ka cilësuar sulmin me koktejl molotovi ndaj këtij institucioni një “veprim kriminal”, i cili ka sipas tij për qëllim të krijojë klimë pasigurie tek qytetarët e Kosovës, si dhe të dëmtojë imazhin e shtetit.

Përmes një komunikate për shtyp, Veseli ka kërkuar nga organet e drejtësisë që t’i zbulojnë sa më parë të autorët e këtij akti. Edhe qeveria e Kosovës e ka cilësuar veprimin një akt kriminal.

Duke aluduar se sulmin e kanë kryer segmente të opozitës, qeveria ka ftuar përfaqësuesit e tyre që të distancohen nga veprime të tilla. Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës e ka quajtur atë një “vazhdimësi të veprimeve të ditëve të kaluara”.

Sulmin ndaj objektit të Kuvendit, ku ndodhen edhe zyrat e Presidencës, e ka dënuar ashpër edhe partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Por ajo ka kërkuar nga qeveria që të mos paragjykojë autorët e këtij akti dhe të mos provojë që këto sulme t’i përdorë kundër kauzave opozitare.

Top Channel