Antonio Conte ishte shumë pranë Shqipërisë

12/03/2016 00:00

Antonio Conte ishte shumë pranë pankinës kuqezi në vitin 2007, por atë e largoi një telefonatë në minutat e fundit e ish-drejtorit sportiv të Barit, Giorgio Perinetti, i cili e bindi ish-lojtarin e Juventusit t’i bashkohej atij të kjo skuadër.

Prapaskenat nga bisedimet në vitin 2007 i ka zbuluar menaxheri i njohur shqiptar, Sokol Haxhia, të cilit i njihet merita edhe për afrimin e De Basit në pankinën kuqezi.

“Unë kam pasur gjithmonë një raport të shkëlqyer me Federatën Shqiptare dhe presidenti më ka përfshirë gjithmonë në zgjedhjen e trajnerëve të kombëtares. Në vitin 2007, kur sapo kishte përfunduar eksperiencën e tij tek Areco, kisha një akord me Antonio Conten, i cili në atë periudhë ishte ende një trajner i ri që duhej të tregonte ende veten. Por unë besoja gjithsesi se kishte brumin e duhur për t’u bërë një trajner i rëndësishëm, ndaj ia propozova presidentit të FSHF-së. Megjithatë, ndërsa po mbyllnim gjithçka, mbërriti një telefonatë nga Perinetti dhe Antonio vendosi të shkonte te Bari, duke e drejtuar fillimisht te mbijetesa në Serinë B dhe më pas te ngjitja në Serinë A, duke i dhënë kështu një shtysë të rëndësishme karrierës së tij”,u shpreh Haxhia në një intervistë për “passionedelcalcio”.

“Ndaj ne vendosëm që të punësonim Arie Haan, i cili u largua pas pak kohësh. Pas dy viteve me po aq trajnerë të punësuar, presidenti më tha se dëshironte të fillonte një cikël të ri, dhe më kërkoi të gjeja një trajner të mirë italian. I prezantova një listë me katër emra dhe zgjedhja e tij ra mbi Gianin, meqë mendonim se ishte emri i duhur për të zgjidhur limitet e lojës të skuadrës. Ai u tregua shumë i aftë për t’u dhënë një organizim mbrojtës ekstrem lojtarëve, si italian që është, si dhe të afronte dhe vlerësonte të rinjtë më interesantë”, vijoi menaxheri Haxhia.

I pyetur për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Europian, Haxhia tha se lojtarët shqiptarë nuk kanë marrë pjesë në kompeticione të tilla, por mendimi se po përfaqësojnë një komb të tërë do t’i shtyjë të luftojnë deri në fund.

“Fatkeqësisht, lojtarët shqiptarë nuk kanë marrë pjesë asnjëherë në këto lloj aktivitetesh, janë si aktorë të cilët nga teatri i provincës zhvendosen në metropole të mëdhenj. Por përveç kësaj, shqiptarët janë një popull me shumë kurajë, zemër, si dhe nuk frikësohen. E dinë që përfaqësojnë një komb të tërë dhe kjo do t’i shtyjë të luftojnë në fushë deri në fund”, deklaroi ai.

Top Channel