Presidenti i Maqedonisë, George Ivanov deklaroi me zemërim se, vendi i tij po paguan gabimet e Bashkimit Europian përsa i takon fluksit rekord të emigrantëve.

Bllokimi i kufirit me Greqinë, bashkë me lëvizje të ngjashme nga vende të tjera ballkanike, ka ndaluar fluksin e refugjatëve drejt Europës, por ka lënë me mijëra të tillë në Greqi. Ivanov akuzoi 28 vendet anëtare të BE-së, se nuk parashikuan dot numrin e madh të emigrantëve nga Turqia, dhe më pas shfaqën hutim para valës masive të tyre.

“Në krizën e emigrantëve ne po paguajmë gabimet e BE-së. Kemi shpenzuar deri tani 25 milionë euro nga paratë e taksapaguesve tanë dhe na u desh të shpallim krizën kombëtare. Por, nga BE nuk kemi marrë as edhe një cent. Në fakt, si vend jo anëtar po mbrojmë BE-në nga një vend i BE-së, pikërisht Greqia”, deklaroi Ivanov.

Ndërsa akuzoi Europën se ka harruar integrimin e Maqedonisë, ai shtoi se Brukseli, gjithashtu i tronditur nga emigrantët, ka harruar edhe sigurinë. Ivanov tha se, nëse Shkupi do të kishte pritur reagimin e BE-së, tashmë Maqedonia do të ishte mbushur me xhihadistë.

Ivanov shtoi se Brukseli nuk ka as guximin të thotë të vërtetën, që 20 milionë emigrantë presin mes Sudanit dhe Egjiptit të mbërrijnë në Europë dhe se kriza e refugjatëve është shumë larg fundit.

Top Channel