Kosova, drejt UEFA-s. Tashmë edhe Serbia duket e dorëzuar

11/03/2016 00:00

Duket se edhe Serbia po dorëzohet në përpjekjet e saj të pashpresa për të penguar anëtarësimin e sporteve të Kosovës në organizmat ndërkombëtarë.

Në një disiplinë si futbolli, ku në Beograd po këmbëngulin shumë të izolojnë shtetin shqipfolës, tashmë edhe personalitete të njohur dhe Këshilli i Federatës po pranojnë realitetin.

Këshilli për Çështjet Urgjente i Federatës së Futbollit të Serbisë ka diskutuar rreth anëtarësimit të paralajmëruar të Kosovës në UEFA, më 3 maj, në Budapest. Federata serbe tashmë e ka të qartë se, do ta ketë të vështirë ta pengojë këtë proces, por thotë se do të luftojë deri në fund që të pengojë një gjë të tillë.

“Që nga viti 2012 dhe me të gjitha mjetet juridike FFS kundërshton fuqishëm në strukturat ndërkombëtare dhe lufton kundër idesë, që kjo çështje të shtrohet para organeve më të rëndësishme të futbollit europian. Në këtë aspekt, ne gjithmonë kemi pasur përkrahjen e drejtuesve të UEFA-s dhe FIFA-s”, thuhet në njoftimin e Federatës serbe.

Por serbët e pranojnë se, tashmë pozitat e tyre janë vështirësuar dukshëm pas anëtarësimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, si dhe shumicës së federatave sportive të Kosovës në ato ndërkombëtare.

“Praktikisht, futbolli ka mbetur thuajse sporti i vetëm i të ashtuquajturit shtet të Kosovës, që nuk është anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, dhe për këtë FFS ka meritë. Kosova është pjesë e familjes botërore të basketbollit, të hendbollit, tenisit, atletikës, notit dhe sporteve të tjera”, bën të ditur FFS.

Një zë surprizë “pro” Kosovës ka dalë këtë javë edhe këshilltari i ish-Presidentit Tadiç dhe analisti i njohur Nebojsa Krstiç, që kërkoi njohjen ndërkombëtare të Prishtinës zyrtare.

Top Channel