Benitez rikthehet sërish në Premier, këtë herë me Newcastle

11/03/2016 00:00

Te Newcastle po e cilësojnë si shpëtimtarin e sezonit të dështuar në Premier League, ndërsa në ishullin britanik e kujtojnë si “bullafiqin” që bëri mrekulli te Liverpool.

Rafael Benitez është rikthyer sërish në kampionatin më të fortë në planet, por në kontrast me aventurën paraardhëse, tashmë do të luftojë për mbijetesën dhe jo për kupat europiane.

Spanjolli gjeti një tjetër pankinë të lirë në Premier League, me vendin e lënë bosh pas shkarkimit të Steve McLaren për rezultate negative. Rafael Benitez e gjen Newcastlen në vendin e fundit dhe me drejtuesit firmosi një marrëveshje trevjeçare.

“Do të jetë një sfidë e madhe jo vetëm për mua, por edhe për futbollistët dhe tifozët. Rikthehem në Angli, ku do të jem më pranë familjes sime dhe nuk mund të isha më shumë i lumtur”, tha Rafael Benitez, që më parë ka drejtuar Liverpoolin dhe Chelsean.

Spanjolli do të ketë menjëherë një debutim të vështirë me skuadrën e “Magpies”, më 14 mars, në “Kings Power Stadium”, ndaj Leicester City.

Top Channel