Kosovë, një vit nga përurimi, Pallati i Drejtësisë mbetet problematik

11/03/2016 00:00

Pothuajse një vit pas përurimit të Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë, defektet në këtë objekt, ku janë investuar 30 milionë euro, vështirësojnë punën për stafin e gjykatave dhe prokurorive.

Që nga ditët e para, punëtorët janë ankuar për cilësinë e dobët të ajrit brenda objektit, e për pasojë janë të shpeshta rastet kur njerëzit humbin ndjenjat. Ndërkohë ka pasur edhe të lënduar nga defektet brenda ashensorëve.

“Asnjë përmirësim nuk ka pasur brenda këtij viti, t’iu them të drejtën gjendja vetëm sa po përkeqësohet. Çështja e ajrit është siç ka qenë edhe më herët. Pothuajse çdo ditë gjendja e dikujt rëndohet dhe duhet thirrur ndihma e shpejtë. Ashensorët, të cilët dikur kanë punuar, tashmë nuk punojnë fare. Edhe aparate që kanë funksionuar më herët, tani nuk funksionojnë, kështu që asgjë nuk është përmirësuar”, tha Asllan Rusinovci, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Jurisprudencës.

Sindikata e punëtorëve, e cila ka protestuar disa herë duke kërkuar kushte më të mira, ka kërkuar sqarime nga Ministria e Administratës Publike dhe pret përgjigje deri më 14 mars, përndryshe do të përshkallëzojë veprimet. Për ndërtimin e kësaj godine po hetohet, por i kontaktuar nga Top Channel, kryetari i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka nuk jep detaje, përveç faktit se çështja po përparon.

Top Channel ka kontaktuar edhe Ministrinë e Administratës Publike dhe zyrën e BE-së në Prishtinë. Në një përgjigje përmes postës elektronike, zyrtarë për informim të BE-së në Kosovë kanë konfirmuar se janë kryer tri testime, dhe asnjëri nuk ka shfaqur probleme për cilësinë e ajrit brenda objektit, ndërsa përgjegjesinë ua hedhin autoriteteve kosovare, pasi afati i garancisë ka përfunduar.

Ndërsa në ministri, përgjegjësinë ia hedhin zyrës së Komisionit Europian në Kosovë, si kontraktuese për kryerjen e punimeve me një kompani bullgare. Nga 30 milionë euro, sa ka kushtuar ndërtimi i Pallatit të Drejtësisë, 26.1 milionë janë financuar nga Komisioni Europian.

Top Channel