Zgjedhjet në Serbi, shqiptarët ende të pavendosur. Duhet unitet

10/03/2016 00:00

Shqiptarët janë të ndarë rreth pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Ata që ishin në Kuvend thonë se, mundësitë janë të vogla, por luftojnë për të drejtat e shqiptarëve. Të përballur me kërkesat e përditshmërisë dhe me tensione politike, partitë ende nuk kanë vendosur.

Riza Halimi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, si deputet thotë se shqiptarët punojnë për të drejtat elementare që në kohën e Milosheviçit. Megjithatë, një zë është më mirë sesa fare.

“Mjerisht jemi në nivelin e paraqitjes së problemeve jetike të shqiptarëve, duke mos pasur një gatishmëri nga strukturat qendrore serbe e të gjitha këtyre problemeve të rënda, me të cilat ballafaqohemi ne”, tha Riza Halimi, deputet në Kuvendin e Serbisë.

Kryetari i Preshevës, nga Partia Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa thotë se, Serbia gjithnjë tregon gatishmëri për zgjidhjen e problemeve, por asnjëherë nuk i zgjidh ato.

Halimi, partia e të cilit kishte për herë të parë pas shumë vitesh dy deputetë në Beograd, thotë se do të ishte mirë që shqiptarët të jenë më të bashkuar.

“Të shqyrtojmë bashkërisht mundësinë që të dalim me një listë të përbashkët, megjithatë deri më tani nuk kemi pasur asnjë përgjigje”, tha më tej Riza Halimi.

Por për të parin e Preshevës, hapat e parë duhet t’i bëjnë ata që janë më të fuqishëm dhe të zgjidhin ndonjë problem.

“Deri tani, ende nuk kemi ndonjë sinjal, që të japë informacionin se ka barazueshmëri dhe qytetarët shqiptarë të respektohen njësoj si serbët në Serbi”, deklaroi Ragmi Mustafa, kryetar i Preshevës.

Megjithatë, pjesëmarrjen në zgjedhje e ka inkurajuar më parë bashkësia ndërkombëtare, por pjesërisht edhe Prishtina e Tirana zyrtare.

Top Channel