Kartoni i kuq ndonjëherë është me rrezik!

10/03/2016 00:00

Një ngjarje aspak normale ka ndodhur në kategoritë inferiore të futbollit italianë, në ndeshjen Castel San Niccolo-Fortis Arezzo, ku një prej lojtarëve të ekipit vendas ka goditur arbitrin e ndeshjes pasi është ndëshkuar me kartonin e kuq.

Ishte minuta e 70 e ndeshjes dhe miqtë po fitonin me rezultatin e thellë 0-4, e natyrisht që presioni mbi vendasit ishte i madh. Një prej lojtarëve të Castel San Niccolo kreu një ndërhyrje të rëndë ndaj kundërshtarit dhe u ndëshkua me kartonin e kuq, por për të ky ishte një ndëshkim mjaft i rëndë dhe fare i padrejtë. Lojtari me numër 11 i ekipit vendas i drejtohet arbitrit dhe pa u menduar dy herë e godet atë me shkelm.

Fatmirësisht, arbitri duket se nuk ka pësuar shumë probleme megjithëse goditja ishte e fortë. Por, pas këtij reagimi ndeshja nuk mund të vazhdonte më dhe arbitri vendos për ndërprerjen e saj.

Vendimi i disiplinës italiane të futbollit ende nuk është dhënë, por me shumë mundësi, duket se Fortis Arezzo do ta fitojë 0-3 ndeshjen në tavolinë edhe pse po fitonte 0-4. Megjithatë dënimi për lojtarin që sulmoi arbitrin me siguri që do të jetë i rëndë.

Top Channel