Sharapova me doping, tenistët janë ende të shokuar

10/03/2016 00:00

Deklarata e Maria Sharapova-s për pozitivitetin e saj në testet antidoping vazhdon të jetë temë diskutimi në ambientet e tenisit botëror.

Shumë kolegë të ruses kanë shprehur keqardhjen për të, por shtuan se kjo situatë mund të evitohej prej saj. Për Agnieszka Radwanska, askush nuk e priste një gjë të tillë  dhe se të gjithë u shokuan nga lajmi. Ndërsa, Rafael Nadal theksoi se Sharapova u tregua neglizhente dhe se shpresonte se ky ishte një gabim i bërë padashje.

“Të gjithë mund të bëjnë gabime”, tha Nadal. “Unë dua të besoj se Maria e bëri ate pa dashjen e saj, por për shkak të neglizhencës. Gjithsesi rregullat janë rregulla dhe është e drejtë që ajo të paguajë për atë çfarë ndodhi.

Sharapova, që rrezikon të dënohet me 2 deri në 4 vjet pezullim, ka gjetur edhe mbështetjen e plotë të Novak Djokovic dhe Serena Williams.

“I dëshiroj më të mirën Sharapovas”, tha Djokovic. “E njoh atë prej shumë kohësh dhe ndjej keqardhje për momentin që ajo po përjeton. Shpresoj që ajo të dalë nga kjo situatë më e fortë”.

Ndërsa, Williams e vlerësoi Sharapova-n për sinqeritetin e saj duke thënë se rusja tregoi shumë kurajo teksa pranoi të gjitha përgjegjësitë e saj për këtë ngjarje.

Top Channel