Propozim Totti-t, të punojë për sportin në bashki

10/03/2016 00:00

Francesco Totti, pas ovacioneve të fituara në “Santiago Bernabeu”, merr një propozim të karakterit politik.

Kapitenit legjendar të Romës i është kërkuar të punojë në Bashkinë e Romës në fushën e sportit dhe të politikave për të rinjtë. Ai që e ka konfirmuar këtë është presidenti i Codacons, Carlo Rienzi që garon për postin e kryebashkiakut në kryeqytetin italian.

Rienzi deklaroi se në ditët e kaluara i është dërguar një mesazh Totti-t për të mësuar sesa i disponueshëm është për të mbuluar një rol të rëndësishëm në Bashkinë e Romës.

Ai shtoi se Totti i ka të gjitha karakteristikat e duhura për të mbuluar sektorin e sportit dhe të politikave për të rinjtë në Bashkinë e Romës, duke ditur se ai i ka të gjitha njohuritë në këtë fushë.

Sipas tij, Francesco Totti mbetet një pikë referimi për të gjithë të rinjtë në Romë dhe mund të bëjë një punë shumë të mirë në promovimin e sportit, pasi është kjo ajo për të cilën interesohen shumë në kryeqytetin italian.

Top Channel